ÇFARË THOTË LIGJI PËR MARTESËN?

Ju e vendosni vetë nëse doni të martoheni me dikë. Askujt nuk i lejohet t'ju detyrojë, bindë apo mashtrojë që të martoheni me dikë. Këtu mund të lexoni më shumë rreth asaj që thotë ligji për martesën dhe çfarë mund të bëni nëse jeni të shqetësuar për imponimin e martesës.

A keni frikë se do t'ju imponohet të martoheni? Kërkoni ndihmë nga dikush që i besoni. Telefononi 112 nëse keni nevojë për mbrojtje dhe ndihmë të menjëhershme. Mund të kontaktoni gjithnjë me shërbimin tonë të bisedës për mbështetje dhe këshilla.

Ju e vendosni vetë nëse doni të martoheni me dikë. Nëse dëshironi, keni të drejtë të martoheni me këdo. Ju dhe personi me të cilin do të martoheni duhet të jeni mbi moshën 18 vjeç, d.m.th. të keni mbushur moshën madhore, që të mund të martoheni. Si ju ashtu edhe partneri juaj duhet të merrni pjesë në dasmë dhe të jepni pëlqimin tuaj për t’u martuar me njëri-tjetrin. Ju mund të martoheni me dikë në çdo kohë. Nëse doni të martoheni me dikë tjetër, së pari duhet të divorcoheni. Të gjithë kanë të drejtë të vendosin nëse duan të divorcohen.

Të detyrosh dikë të martohet është e paligjshme në Suedi.

Më 1 korrik 2020, në Kodin Penal Suedez u përfshi një krim i ri i quajtur krimi i martesës së fëmijëve.

Për martesën e fëmijëve dhe ndalimin e largimit nga vendi

Kushdo që detyron ose lejon një fëmijë nën moshën 18 vjeç të martohet ose të hyjë në një lidhje të ngjashme me martesën, mund të shpallet fajtor për krimin e martesës së fëmijëve në gjykatat suedeze. Një person që martohet me një fëmijë gjithashtu mund të penalizohet dhe në disa raste kështu mund ta pësojë edhe zyrtari i dasmës. Krimi mund të rezultojë në deri në katër vjet burg.

Ligji i ri nga viti 2020 gjithashtu përfshin ndalimin e largimit nga vendi, në mënyrë që të mbrojë fëmijët që janë në rrezik për t'u marrë nga Suedia për t'iu nënshtruar martesës së fëmijëve. Kushdo që shkel një ndalim të largimit nga vendi mund të dënohet me deri në dy vjet burg. Nëse një fëmijë ka ndalim largimi nga vendi, fëmija nuk mund të marrë pasaportë. Nëse fëmija tashmë ka pasaportë, kjo mund të revokohet.

Gjërat për t'u marrë parasysh nëse do të udhëtoni jashtë vendit

  • Tregojini dikujt që keni besim për situatën tuaj. Jepini personit në fjalë të dhënat e kontaktit dhe të adresës, një kopje të pasaportës tuaj dhe datën në të cilën planifikoni të ktheheni. Mund gjithashtu të bini dakord me personin që ai ose ajo të kontaktojë me komunën ose me ambasadën suedeze nëse nuk jeni kthyer ose nuk keni kontaktuar deri në një datë të caktuar.
  • Merrni me vete numrin e telefonit dhe adresën e emailit të personit të shërbimeve sociale ose të policisë me të cilin keni folur, ose të ndonjë personi kontakti në Suedi të cilit mund t'i besoni.
  • Merrni me vete telefonin tuaj celular dhe një kartë shtesë SIM.
  • Shkruani ose mësoni përmendësh numrin e telefonit dhe adresën e emailit të ambasadës suedeze ose të konsullatës në vendin ku po udhëtoni.
  • Shkruani detajet e kontaktit të të afërmve ose të shokëve në vendin ku po udhëtoni, të cilët mendoni se mund të jenë të gatshëm t'ju ndihmojnë.
  • Merrni informacion në lidhje me ligjet në fuqi për shembull, për martesën dhe çfarë ndihme mund të merrni në vendin në të cilin po udhëtoni. Mund t'i telefononi Ministrisë së Punëve të Jashtme ose një organizatë vullnetare.

Rreziqet e udhëtimit jashtë vendit

Shumë martesa zhvillohen jashtë vendit. Nëse mendoni se ka rrezik t'ju detyrojnë të martoheni ndërsa jeni jashtë vendit, duhet të përpiqeni ta ndaloni udhëtimin, pasi është më e vështirë për autoritetet suedeze t'ju ndihmojnë kur jeni jashtë vendit. Për ndihmë në ndalimin e udhëtimit, mund të flisni me një organizatë vullnetare, policinë ose shërbimet sociale.

Mësoni më shumë në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me krimet e nderit (kjo faqe është në suedisht). Vini re: nuk ka ndonjë buton emergjence për dalje me shpejtësi nga faqja e internetit.

Ndihma nga autoritetet suedeze jashtë vendit

Nëse jeni shtetas suedez, refugjat ose person pa shtetësi me banim në Suedi, mund të merrni ndihmë nga ambasadat dhe konsullatat suedeze ndërsa ndodheni jashtë vendit. Nëse jeni në një situatë emergjente, për shkak të kërcënimeve ose dhunës, ose jeni të detyruar të martoheni ose të qëndroni në një vend tjetër pa pasaportë apo biletë për t'u kthyer në shtëpi, ambasadat dhe konsullatat suedeze mund të ndihmojnë përmes:

  • Dhënies së këshillave dhe mbështetjes.
  • Kontaktimit të të afërmve ose zgjidhjes së problemeve të tjera.
  • Kontaktimit të një avokati mbrojtës, mjeku ose përkthyesi.
  • Nxjerrjes së një pasaporte të përkohshme ose të zakonshme.
  • Huazimit të parave për të udhëtuar në Suedi.

Por ndonjëherë mund të jetë e vështirë të merrni ndihmë, për shembull nëse ligji është i ndryshëm në vendin ku ndodheni. Nëse jeni shtetas i Suedisë dhe i vendit në të cilin po udhëtoni, mund të jetë e vështirë për Ministrinë Suedeze të Punëve të Jashtme, ambasadat dhe konsullatat që t'ju ndihmojnë, pasi duhet të punojnë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e atij vendi. Diçka që është një krim në Suedi nuk është doemos krim në një vend tjetër. Nëse autoritetet në vendin tjetër nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë, si rrjedhojë mund të jetë e vështirë për Ministrinë e Punëve të Jashtme t'ju ndihmojë të ktheheni në Suedi, për shembull.

Mos harroni se kjo është ajo që thotë ligji suedez!

  • Ju gjithmonë keni të drejtë t’i thoni jo martesës nëse nuk doni të martoheni. Kërcënimi ose detyrimi i dikujt për t'u martuar, për shembull duke përdorur dhunë, është i paligjshëm.
  • Të dy personat që martohen duhet të jenë që të dy të pranishëm në martesë dhe të japin pëlqimin e tyre për t'u martuar.
  • Autoritetet suedeze mund të refuzojnë njohjen e një martese të huaj që është kryer me forcë. Por nëse jeni tashmë të martuar, shpesh është e vështirë ta provoni në gjyq nëse kjo është kryer me forcë. Prandaj është e rëndësishme të flisni paraprakisht dhe të keni parasysh se e keni ligjin në krah.
  • Ju duhet të jeni 18 vjeç që të martoheni.
  • Nëse jeni tashmë të martuar me një person, nuk mund të martoheni me dikë tjetër pa u divorcuar më parë.
  • Nëse jeni të martuar tashmë, gjithmonë mund të merrni një divorc në Suedi, por mund të mos jeni në gjendje të merrni një divorc të huaj.

Mësoni më shumë

Autoritetet suedeze jashtë vendit (Vini re: nuk ka ndonjë buton emergjence për dalje me shpejtësi nga faqja e internetit.)

Qeveria (Vini re: nuk ka ndonjë buton emergjence për dalje me shpejtësi nga faqja e internetit.)