ÇFARË THOTË LIGJI NË LIDHJE ME DHUNËN?

Shumë njerëz e lidhin abuzimin fizik me dhunën, por dhuna mund të marrë forma të ndryshme. Të gjitha format e dhunës janë kriminale! Këtu, ne shpjegojmë lloje të ndryshme të dhunës dhe abuzimit dhe se çfarë shkaktojnë.

A keni pësuar ju vetë dhunë, apo a njihni ndokënd që mund të ketë pësuar? Lajmëroni policinë në numrin e telefonit 114 14. Nëse ka ndonjë urgjencë, telefononi në 112.

Askujt nuk lejohet t'ju trajtojë keq, qoftë mendërisht apo fizikisht. Të gjithë, fëmijë dhe të rritur, kanë të drejtën e një jete pa dhunë. Sidoqoftë, njerëzit vuajnë çdo ditë dhunë në forma të ndryshme.

Abuzimi fizik

Abuzim fizik do të thotë që pësoni dhunë ndaj trupit tuaj, nga një a më shumë njerëz. Kjo mund të përfshijë grushte, shkelma, goditje ose shuplaka apo dhunë me çfarëdo forme arme/mjeti.

Dhuna fizike pasive mund të jetë kur një person i ushtron një tjetri një formë veprimi të dhunshëm që ka pasoja fizike, si p.sh. kur i mohon gjumin ose ushqimin.

Nënshtrimi i dikujt ndaj dhunës fizike është GJITHMONË krim.

Abuzimi psikologjik

Abuzimi psikologjik mund të jetë kur të drejtohen me fjalë keqdashëse, fyese dhe përçmuese. Mund të përfshijë gjithashtu kërcënime, qoftë të drejtuara ndaj një personi, qoftë si kërcënime për vetëlëndim nëse një person nuk bie dakord të ndjekë disa gjëra.

Abuzimi psikologjik nuk shkakton dëme të dukshme fizike, por shkakton dhimbje brenda viktimës. Duke qenë se abuzimi psikologjik nuk mund të shihet, mund të jetë më e vështirë të zbulohet dhe provohet, por gjithsesi është një krim po aq i rëndë sa abuzimi fizik.

Dhuna seksuale

Kur dikush kryen një akt seksual kundër dikujt tjetër kundër vullnetit të tij, ky është krim seksual. Shembujt përfshijnë përdhunimin, përdhunimin e rëndë, përdhunimin e fëmijëve, sulmin seksual, shfrytëzimin seksual, ngacmimin seksual, blerjen e shërbimeve seksuale dhe ofrimin (shfrytëzimin financiar të një personi tjetër për të bërë seks në këmbim të kompensimit). E gjithë kjo është kriminale! Mund të mësoni më shumë rreth krimit seksual këtu.

Dhuna dhe shtypja e lidhur me nderin

Në disa njësi familjare dhe familje të zgjeruara, nderi është shumë i rëndësishëm, që do të thotë se shpesh ekzistojnë rregulla dhe kufizime të veçanta. Për shembull, të rriturit mund të vendosin se çfarë shokësh mund të kenë fëmijët e tyre, me kë duhet të kalojnë kohë dhe të martohen dhe çfarë rrobash mund të veshin fëmijët. Nëse shkelni rregullat, mund të kërcënoheni ose edhe t'i nënshtroheni dhunës dhe formave të tjera të abuzimit. Rregullat janë zakonisht më të rrepta për vajzat dhe gratë, por djemtë dhe burrat gjithashtu pësojnë dhunë dhe shtypje në lidhje me nderin, duke përfshirë edhe detyrimin për të monitoruar dhe kontrolluar motrat e tyre.

E gjithë kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, dhe që nga 1 korriku 2020 ka një ligj që vendos dënime më të forta për krimet e bazuara në nder. Nga teksti i ligjit: "Përveç asaj që vlen për secilin lloj të veçantë të veprës penale, rrethanat rënduese në vlerësimin e kriminalitetit do të marrin parasysh në veçanti [...] nëse motivi i veprës ishte ruajtja ose rivendosja e nderit të një personi ose njësie familjare, familjeje të gjerë ose grupi tjetër të ngjashëm.”

Dhuna materiale

Dhuna materiale do të thotë kur një person shkatërron sendet që i përkasin një personi tjetër, ose detyron dikë të shkatërrojë sendet e veta.

Dhuna financiare

Dhuna financiare mund të përfshijë një person që kontrollon se si dikush tjetër i shpenzon paratë e veta, pa pasur një të drejtë ligjore për ta bërë këtë. Dhuna financiare mund të përfshijë gjithashtu detyrimin e një personi tjetër për të marrë hua, ose kontrollimin e financave dhe pasurive materiale të personit tjetër për të krijuar izolim dhe vulnerabilitet, dhe për ta bërë personin të varur financiarisht. Në rrethana të caktuara, një personi që e ka të vështirë të menaxhojë financat e tij mund t'i caktohet ai që njihet si administrues i besuar. Administruesi i besuar caktohet gjithmonë nga gjykata.

Neglizhenca

Neglizhenca përfshin shumë gjëra. Për shembull mund të përfshijë mbajtjen ose mosdhënien e gjërave që i duhen një personi tjetër në mënyrën e duhur, si p.sh. ushqimin ose ilaçet. Mund të jetë gjithashtu mosveshja e fëmijës me rroba të ngrohta kur është ftohtë jashtë, ose kur prindi/kujdestari nuk u jep një fëmije dashuri ose siguri.

Dënimi trupor

Goditja e fëmijës është krim në Suedi. E gjithë dhuna ndaj fëmijëve është ndaluar në vitin 1979. Kjo do të thotë që prindërve nuk u lejohet t'i godasin fëmijët. Fëmijë është çdo person nën moshën 18 vjeç. Suedia ishte vendi i parë në botë që ndaloi dhunën ndaj fëmijëve, i njohur si ndëshkim trupor. Fatkeqësisht, shumë fëmijë pësojnë ende dhunë në shtëpi. Dhuna ndodh në të gjitha klasat e shoqërisë, në të gjitha kategoritë e profesioneve dhe zonat e banuara - por ajo është gjithmonë kriminale dhe duhet të raportohet gjithmonë në polici.